Bashkia e Libohovës është përzgjedhur si një ndër njësitë e qeverisjes vendore, përfituese të projektit “Rrjeti i Organizatave Vendore, i cili përkrah qeverisjen e mirë dhe llogaridhënien”. Në këtë kuadër, gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak, partnerët e projektit organizuan trajnimin me temë “Pjesëmmarrja e Publikut në Vendimmarrjen Vendore në bashkinë Libohovë”.
Ky aktivitet pason disa aktivitete dhe konkursin “Të shprehemi përmes Artit Pamor mbi Demokracinë dhe llogaridhënien”, ku të rinjtë e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përshfaqën perceptimin e tyre mbi mirëqeverisjen në vendimmarrjen lokale. Fituesit e konkursit nëpërmjet një ceremonie dorëzuan punimet fituese në prani të kryetares së bashkisë Libohovë, znj. Luiza Mandi, dhe këshilltarëve të Këshillit Bashkiak. Ata komentuan pikturat dhe mesazhet që përcillnin për vendimmarrjen dhe demokracinë. Këto piktura do të qëndrojnë në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak për të përçuar këshilltarëve bashkiakë mesazhet e të rinjve mbi mirëqeverisjen dhe demokracinë. Aktiviteti pasoi me trajnimin e këshilltarëve mbi rolin dhe përgjegjësitë e tyre për përfshirjen e komunitetit në vendimmarrjen vendore.
Kryetarja e Bashkisë Libohovë, znj. Luiza Mandi, përshëndeti organizatat për nismën e ndërmarrë dhe ftoi organizatorët të kontribuojnë në zhvillimin e programeve të tilla në bashkinë e tyre, pasi e ndiejnë të nevojshme promovimin e trevave të Libohovës për traditën e hershme të saj në turizëm dhe vlerat e rralla natyrore dhe kulturore që zotërojnë.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Anastasia Dushi, nga ana e saj, e cilësoi projektin si nismëtar në bashkëpunim me shoqërinë civile për forcimin e mirëqeverisjes dhe mirëqënies së komunitetit në Libohovë.
Ndërsa Mejdi Mataj, drejtor I gjimnazit “11 Shkurti” përshëndeti projektin, duke kërkuar mbështetjen e shoqërisë civile në rritjen dhe mbështetjen e kapaciteteve të të rinjve në Libohovë.
Projekti mbështetet nga fondi i nën-grantimit “Rrjetëzim dhe shkëmbimi i njohurive ndërmjet OSHC-ve në fushën e anti-korrupsionit dhe qeverisjes së mirë në nivel vendor”- Raundi II, në kuadër të projektit CIVILISC, financuar nga BE, zbatuar nga IDM, në partneritet me Fondacionin RiskMonitor, Bullgari.